Aktuale

“Edi Ramës i hapi probleme”, zhdukja e ish-bosit të lojërave të fatit, Artan Hoxha: Para VRASJES, Ervis Martinaj u shpall “armik publik”! Doli hapur në krahun e PD-së

Ditën e djeshme, pasi doli nga ambientet e GJKKO-së, Mustafa Martinaj, babai i biznesmenit të zhdukur të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, deklaroi për mediat se i biri është vrarë. Po ashtu, ai tha se drejtësia nuk po bën përpjekje për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Në lidhje me këtë deklaratë, gazetari Artan Hoxha i ka dhënë të drejtë Mustafa Martinajt, pasi, sipas tij, drejtësia nuk po bën përpjekje për të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Po ashtu, Hoxha deklaroi se Ervis Martinaj ishte i vetmi personazh nga bota e krimit, të cilit kryeministri Edi Rama i ka përmendur emrin, pasi, sipas tij, i ka hapur probleme.

Gazetari shtoi gjithashtu se, para vrasjes, ish-bosi i lojërave të fatit ishte pozicionuar në krahun e Partisë Demokratike dhe, para eliminimit, u shpall “armik publik”.

Artan Hoxha: Mustafa Martinaj e njeh ligjin, është biznesmen, ka pasur detyra drejtuese në fushën e tij dhe ka lidhje. Nuk e di nëse është ende, por ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe ka qenë i përfshirë në këtë parti. Në kohën e Lulzim Bashës, edhe pse ai u përball me Sali Berishën, Martinaj mbajti krahun e Bashës. Në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë i dukshëm, sidomos i biri. Ervis Martinaj është njeriu i vetëm në këtë vend me të cilin Edi Rama ka guxuar të merret. Rama zakonisht nuk merret me emra dhe nuk ua përmend banditëve, por me të është marrë. Pse? Sepse ai iu kthye në problem.

Ervis Martinaj, para se të vritej, kishte marrë profilin e “armikut publik”. Pra, kërkohej me çdo kusht; nuk kishte rëndësi se kush do ta realizonte goditjen, rëndësi kishte që ai të zhdukej nga qarkullimi, dhe kjo ndodhi. Ai u zhduk nga qarkullimi dhe nuk e kërkon më njeri.

SPAK e ka shpallur dy herë në kërkim ndërkombëtar. Por, kë kërkoni? Sepse ai u rrëmbye kur ishte në kërkim. Vis Martinaj ishte i pari që u shpall në kërkim pasi foli Nuredin Dumani dhe ruhej nga oficeri i policisë që duhej ta kapte. Edhe për të mbrojtur imazhin e vendit, duhet të ishin bërë më shumë përpjekje.

Të Ngjashme