
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka përshëndetur vendimin e grupit militant PKK për t’u shpërbërë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt një epoke të re për Turqinë.
“Me heqjen dorë nga armët, hapen dyert e një epoke të re,” deklaroi Erdogan gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kabinetit në Ankara. Ai shtoi se ky zhvillim ka rëndësi të madhe për forcimin e sigurisë kombëtare dhe për ruajtjen e unitetit të kombit.
“Ne e konsiderojmë vendimin e marrë si të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së vendit tonë dhe vëllazërinë e përjetshme të kombit tonë”, tha ai, duke vënë në dukje se Ankaraja e konsideron këtë deklaratë si një vendim që mbulon edhe të gjitha zgjerimet e organizatës në Irak, Siri dhe Evropë.
Erdogan paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikohen informacione më të detajuara mbi këtë çështje, shkruan DS.
Në të njëjtën konferencë, Erdogan shprehu mirëseardhjen e Turqisë ndaj armëpushimit mes Pakistanit dhe Indisë pas tensioneve të fundit. “Qëndrimi ynë është i qartë në raste krizash të tilla: gjithmonë jemi në anën e paqes, stabilitetit, diplomacisë dhe dialogut,” theksoi ai.
Presidenti turk foli gjithashtu për përpjekjet për paqe në Ukrainë, duke bërë të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ai u shpreh i gatshëm të ndihmojë në organizimin e bisedimeve direkte mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, të cilat pritet të zhvillohen këtë javë.
“Kontaktet e fundit kanë hapur një dritare të re mundësish. Shpresojmë që kjo të mos shkojë dëm,” tha Erdogan, duke nënvizuar angazhimin e Turqisë për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje paqësore.