Pothuajse gjysmë milioni turistë pritet të udhëtojnë drejt Spanjës për të përjetuar vetëm 90 sekonda errësirë të plotë gjatë eklipsit diellor të 12 gushtit. Fenomeni do të jetë i dukshëm në një brez që shtrihet nga Grenlanda dhe Islanda deri në Spanjë e Portugali, ndërsa në Itali do të shihet vetëm pjesërisht.
Edhe pse faza e eklipsit të plotë zgjat vetëm një minutë e gjysmë, ai përkon me pushimet e Ferragostos dhe ka nxitur një valë rezervimesh turistike. Në disa zona të Spanjës, çmimi i një nate hoteli ka arritur deri në 1.200 euro.
Spanja nuk ka përjetuar një eklips të plotë diellor që nga viti 1905, por në tre vitet e ardhshme do të ketë tre të tillë. Pas atij të 12 gushtit, eklipset e radhës do të ndodhin më 2 gusht 2027 dhe më 26 janar 2028.
“Një eklips i plotë diellor është një nga ato momente të rralla kur miliona njerëz shikojnë qiellin njëkohësisht dhe ndiejnë mahnitje e kureshtje”, thotë Carole Mundell, drejtoreshë shkencore e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA).
Autoritetet spanjolle do të organizojnë aktivitete dhe pika vëzhgimi për publikun, ndërsa ekspertët këshillojnë përdorimin vetëm të syzeve të certifikuara për të parë fenomenin, pasi syzet e zakonshme të diellit nuk mbrojnë sytë nga rrezet e dëmshme.
