
Shqiprim Pula, analist i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka folur lidhur me vizitën e Aleksandar Vuçiqit në Moskë.
Ai në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se është për t’u habitur mosreagimi apo reagimi i dobët i Brukselit zyrtar në lidhje me vizitën e Vuçiqit në Moskë.
“Serbia tashmë ndjek dy rrugë paralele. Pra, kemi një lloj Serbie e cila paraqitet në Bruksel me motivin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe, në anën tjetër, ajo që respekton të kaluarën shekullore në lidhjet e saj historike, kishtare dhe shtetërore me Rusinë,” ka deklaruar Pula.
Pula tutje ka thënë se udhëheqësia e Brukselit prej vitesh duket se e kanë lexuar situatën gabimisht dhe se kanë besuar në figura politike të gabuara në Serbi.
“Kemi një lider kontravers [Vuçiqin] sa i përket ndjekjes së rrugës së anëtarësimit, qoftë në Bashkimin Evropian apo edhe në NATO,” ka thënë ai.
Lidhur me këtë vizitë ka folur edhe njohësi i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.
Ai ka thënë se vizita e Vuçiqit në Moskë “rrezikon” rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
“Në aspektin e bisedës me Putinin, Vuçiqi e ka tërhequr edhe një paralele – është biseduar edhe për Kosovën, edhe për gjeopolitikën në Ballkan, pastaj edhe për çështjen e Gazprom-it… dhe ka qenë njëra ndër pikat marrëveshja tekniko-ushtarake,” ka thënë ai.
Sipas tij, vizita e Portofjes ishte më e rëndësishme në Moskë sesa ajo e Vuçiqit. Madje, sipas tij, ky i fundit ishte “lënë anash” nga protokolli krahasuar me delegacionet e vendeve të tjera pjesëmarrëse.
“Në aspektin e dialogimit me Putinin, janë prekur disa tema që mund të them se për gjithë Ballkanin mund të jenë të rrezikshme për ndonjë vatër të ardhshme krize,” ka thënë Bilalli.