Lokacioni i fabrikës gjendet në Krushevc të Serbisë.
Kjo fabrikë e cila daton nga viti 1889 e që bën prodhimi e eksplozivëve, një pjesë të materialit eksplodues dyshohet se e solli edhe në veriun e Kosovës.
Bëhet fjalë për 152 kilogramët eksploziv, të cilat Policia e Kosovës i gjeti para pak ditësh në një shtëpi të braktisur në Zubin Potok.
Tëvë1 ka mësuar se nga hetimet fillestare të organeve të rendit, po del se eksplozivi është prodhim i kompanisë serbe “Trayal”, në pronësi të biznesmenit serb Millosh Neneziq, i afërt më presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
I njëjti eksploziv është i publikuar edhe në faqen zyrtare të kompanisë “Trayal”, me të gjitha të dhënat për të.
Sipas këtyre burimeve, dyshimet janë se ky eksploziv është vendosur në këtë shtëpi, që prej kohës së sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, vlerëson se ky fakt vërteton lidhjet e forta të kompanisë me pushtetin në Serbi.
“Është i prodhuar nga kompania serbe “Trayal” e cila faktikisht është kompani shtetërore sepse në kuptim zyrtar është kompani tjetër, e cila ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me Nenziqi, edhe me Gashiqin, ish-shefin e BIA-s, Mbrojtes dhe Punëve të Brendshme, poashtu lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt edhe me Vulinët etj”, ka thënë Ramadani.
Ndërkaq, gazetari i mediumit serb NOVA, Slobona Georgiev, thekson se këto lidhje të kompanisë me pushtetin janë diçka e ditur në Serbi.
“Lidhjet me personat nga pushteti, me z. Gashiç apo dikë tjetër nga qeverisja nuk janë të pazakonta, sepse kur merret parasysh që partia në pushtet është e lidhur me gjithçka këtu, është normale që firma të tilla të lidhen me njerëz nga qeverisja. Atë çfarë kemi konkluduar viteve të fundit është që njerëzit nga pushteti këtu duan të përfitojnë para, dhe gjithçka që duan është të pasurohen, duke ndihmuar firmat e tyre apo firmat e miqve të tyre”, u shpreh Georgiev
Përveç këtij eksplozivi, në dy shtëpi të braktisura në Zubin Potok dhe Zveçan, Policia e Kosovës sekuestroi edhe disa armë e municione të tjera.
