Lajme

​Ekspozita e Gashit, PDK kërkon të miratohet një rezolutë në mbrojtje të viktimave të luftës

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar miratimin e një rezolute në seancën e sotme të Kuvendit, siç kanë thënë, në mbrojtje të viktimave të luftës së fundit pas ekspozitës së fundit të Shkëlzen Gashit, ku trajton masakrat e luftës në vitin 1998-1999.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kjo rezolutë duhet të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës pas pyetjeve parlamentare. Mirëpo ajo nuk tregoi përmbajtjen e rezolutës.

“Kemi një sfidë të rëndësishme, përpjekjen për të shtrembëruar historinë tonë. Kujtesa nuk është e kaluar, është identitet, është themeli mbi të cilin qëndrojmë ne si shoqëri. Ne kemi dhënë një draft-propozim, jemi të gatshëm të diskutojmë dhe kërkojmë të futet në rendin e ditës si pikë e parë menjëherë pas pyetjeve parlamentare. S’ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht dhe të mos miratojë këtë rezolutë si hap të parë”, tha ajo.

Përkrahje rezolutës i dhanë edhe në LVV, mirëpo kërkuan që ajo të jetë si pikë e fundit e rendit të ditës në seancën e sotme.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se duhet të formohet një grup punues ku inkorporohen edhe komentet e grupeve parlamentare.

“LVV është e interesuar dhe e gatshme të kontribuojë në një rezolutë që do të paraqiste përmbajtësisht dhe në aspekt shumëdimensional çështjen që trajton luftën e fundit. Në lidhje me këtë, jemi të gatshëm të delegojmë deputetët tanë, sikurse e biseduam, që bashkë me deputetët e grupeve të tjera parlamentare të punojnë gjatë ditës dhe të vijnë me një rezolutë. Ne jemi të gatshëm të dërgojmë deputetët tanë si pjesë e një grupi të përbashkët dhe deri në fund të ditës të sjellim një draft të miratuar në Kuvend”, tha ajo.

Mbështetje i dhanë edhe në LDK, përmes shefes së grupit parlamentar, Jehona Lushaku.

“LDK e ka shqyrtuar tekstin e rezolutës dhe në parim pajtohemi me të, pasi mendojmë se është obligim i yni institucional dhe shtetëror për të mbrojtur të vërtetën. Gjithsesi, jemi të gatshëm që të kontribuojmë në komision të përbashkët nëse ka iniciativë të tillë”, shtoi ajo.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kjo rezolutë duhet të shqyrtohet si pikë e parë e rendit të ditës.

“Propozimi im është që të jetë në rend të ditës si pikë e parë”, theksoi ai.

Duke parë këto dallime, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu kërkoi unifikim, pasi dallimet për renditjen e kësaj rezolute janë të vogla.

Sipas saj, a vendoset në fillim apo në fund kjo rezolutë nuk është e rëndësishme, derisa qëllimi është të kalojë e njëjta.

“Të ketë një unifikim në raport me këtë çështje. Diskutimet për një draft-rezolutë që do të jetë si harmonizim nga të gjitha grupet parlamentare do t’i shërbente kontributi dhe ndihma që do të jepte edhe ministri Andin Hoti. Ju lus të jeni të unifikuar pasi dallimi nuk është i madh. A vendoset në fillim të rendit të ditës apo në fund, qëllimi duhet të jetë që të kalojë rezoluta”, tha ajo.

Fjalën e mori sërish Vlora Çitaku e PDK-së, e cila insistoi që trajtimi i rezolutës të bëhet si pikë e parë e rendit të ditës.

“Ka pasur kohë të mjaftueshme që grupet parlamentare të japin vërejtjet e tyre. Megjithatë, ne jemi të gatshëm që të ulemi bashkë, pasi për ne dhe secilin deputet nuk ka asnjë çështje tjetër më të rëndësishme sesa trajtimi i kësaj rezolute dhe votimi në unanimitet. Nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromis, pasi ne ua dhamë votat për marrëveshjet ndërkombëtare, do t’i votojmë, por ky tekst dhe kjo rezolutë në mbrojtje të së vërtetës së viktimave është më e rëndësishme sesa marrëveshjet ndërkombëtare. Ta kryejmë sot dhe atë si pikë të parë të rendit të ditës”, tha ajo.

Të Ngjashme