Është ekstraduar nga Londra drejt vendit tonë një anëtar i grupit të Laert Haxhiut.
Bëhet fjalë për shtetasin Lorenc Lala, alias Kristian Lala, Ilir Lamberti, 49 vjeç, lindur në Lushnje.
Lorenc Lala, është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, me vendim Nr. 691 datë 01.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit e Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi, për të kryer vrasjen e shtetasit Albi Bashaliu, ndodhur më datë 27.12.2021 në Gjocaj/Peqin.
Lala ka siguruar mjetet për kryerjen e krimit (armët), si dhe ka siguruar mjetet e transportit të grupit kriminal dhe largimin e tyre nga vendi i ngjarjes.
