Një histori e veçantë komuniteti në Alabama ka emocionuar shumë njerëz pasi 83 familje u bashkuan për t’i realizuar dëshirën e ditëlindjes një 11-vjeçari me autizëm, i cili dëshironte të përjetonte sërish emocionin e “trick-or-treat”, traditës së Halloween-it ku fëmijët trokasin në dyer për të marrë ëmbëlsira.
Nëna e djalit, Leah Farrow, mendoi se vetëm disa fqinjë do të pranonin kërkesën e saj në grupin e lagjes në Facebook. Por reagimi ishte shumë më i madh nga sa priste. “Nuk e prisja aspak. Mendova se do të ishin disa persona, por numri i madh i njerëzve që donin ta bënin të lumtur djalin tim ishte mahnitës”, u shpreh ajo.
Soren, i veshur me një kostum bananeje dhe me kovën e tij për ëmbëlsira në dorë, kaloi nga shtëpia në shtëpi gjatë një pasditeje vere, duke përjetuar atmosferën e Halloween-it jashtë sezonit. Videoja e ndarë nga nëna e tij në rrjetet sociale tregoi momentet emocionuese të festës dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të komunitetit.
