Edhe pse ishte paralajmëruar që procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut do të niste në orën 16:00, ai ende nuk ka filluar.
Rinumërimi është urdhëruar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas identifikimit të një problemi teknik gjatë numërimit të mëparshëm.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bëri të ditur se vendimi është marrë pasi kompania CETIS, përgjegjëse për printimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve komunale në Kosovë, ka sqaruar se gabimi ka ndodhur për shkak të një defekti teknik në njërën nga katër kokat e printerëve me ngjyrë, që shtypnin numrat e qendrave të votimit.
Sipas CETIS-it, problemi ishte i kufizuar vetëm në këtë komponentë dhe është “pothuajse i pamundur të ndodhë në rrethana normale”, ndërsa kompania ka marrë përgjegjësinë e plotë për gabimin.
Në njoftimin e saj, Prokuroria ka theksuar se për të garantuar transparencën dhe integritetin e procesit, ka caktuar dy hetues policorë të cilët do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së numërimit, deri në përfundimin e tij.
Megjithatë, procesi nuk ka filluar ende, ndonëse rinumërimi ishte paralajmëruar të niste në orën 16:00, dhe arsyet e vonesës nuk janë bërë të ditura.

