Aktuale

“Erdhe në Fier për t’u përdredhur si purtekë domatesh”- Zegjine Caushi ‘shpërthen’ ndaj Gazment Bardhit: Pije xhin në 2 të natës e haje qofte!

Gazment Bardhi e quajti Zegjine Caushin si zare të Belinda Ballukut. Kaq mjaftoi që deputetja socialiste e Fierit të ‘shpërthente’ ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar demokratik, duke i kujtuar edhe fushatën për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas socialistes Caushi, Bardhi gjatë fushatës pinte xhin dhe hante qoftë, ndërsa iu drejtua se “erdhe në Fier vetëm për t’u përdredhur si purtekë domatesh”.

“Faleminderit i dashur Gazo që më përmende më në fund. Kënaqësi që të përballesh këtu me ty. Të thashë atje tek deti i Fierit, por nuk më besove o xhan. Erdhe në Fier vetëm për të pirë xhin në 2 të natës e për të shkëlqyer sytë xixa. E për të ngrënë qoftë në lokalin e lagjes se nuk kishte lushnjar e Fierak që ta hapi derën. U kalove gjyshërve në Patos dhe nuk të panë fare. Ç’të bëri Roskoveci kur dole në pazar? Ike më parë se të vijë. Ti ylli i Fierit për këtë do të mbahesh mend në Fier.

Ti duhet të ma dish për faleminderit, që doktori nuk të hoqi nga ai vend vetëm që mos më bënte qefin mua. Do të kujtoj një shprehje që i ke thënë Berishës, ti je një njeri që vetëm për t’u përdredhur erdhe në Fier, me atë trupin tënd si purtekë domatesh”, tha ajo.

Më herët Gazment Bardhi i quajti disa deputetë të Fierit, mes tyre Caushin dhe Erion Milen si “zarë dhe zagarë të Belinda Ballukut”.

“Qytetarëve të Fierit i kam bërë një premtim kur isha në fushate që kjo zonja që po deformon vullnetin e qytetarëve me paratë e korrupsionit do të shkojë në burg dhe e kam mbajtur premtimin, ajo do të shkojë në burg, me apo pa ty Zegjinën e gjithë zagarët e vet që i ka sjellë në Kuvend”, tha Bardhi.

Të Ngjashme