Aktuale

Erdogan reagon për herë të parë dhe ka një mesazh për Iranin, pasi raketa iraniane ra në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë Iranit, pas incidentit të mëngjesit kur një raketë iraniane u rrëzua në provincën Hatay.

“Si në incidentin e sotëm, ne marrim çdo masë të nevojshme në konsultim të ngushtë me aleatët tanë në NATO dhe ndërhyjmë menjëherë kur është e nevojshme. Paralajmërimet tona i shprehim në mënyrën më të qartë, në mënyrë që incidente të ngjashme të mos përsëriten”, deklaroi Erdoğan.

“Nuk lëmë asgjë në dorë të fatit”

Duke folur pas një dreke me ushtarët e Komandës së Operacioneve Speciale, kreu i shtetit turk theksoi se Turqia po forcon vazhdimisht kapacitetet e saj mbrojtëse.

Ai u shpreh se vendi e ka mbyllur vitin me rekord në eksportet e industrisë së mbrojtjes dhe të sektorit hapësinor, ndërsa vlerësoi performancën e forcave të armatosura turke në një stërvitje të NATO-s në Gjermani.

“Nëse do t’u kishim kushtuar vëmendje atyre që thoshin ‘mos testoni raketa sepse tremben peshqit’, nuk do t’i kishim arritur këto rezultate. Nëse duam të jetojmë në këto toka që janë atdheu ynë i përjetshëm, duhet të rrisim vazhdimisht fuqinë tonë parandaluese”, tha ai.

Erdoğan theksoi se, në këto ditë të vështira, Turqia nuk lë asgjë në dorë të fatit sa i përket sigurisë së kufijve dhe hapësirës ajrore.

“Vullneti dhe aftësia jonë për të garantuar sigurinë e vendit dhe popullit tonë janë në nivelin më të lartë. Ne do ta ndërtojmë patjetër ‘Shekullin e Turqisë’, duke kapërcyer çdo pengesë dhe duke mos rënë në kurthet që na ngrihen”, përfundoi presidenti turk.

Të Ngjashme