2
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se reshjet e mëdha të shiut dhe breshëri, të shoqëruara me erëra të fuqishme, kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të vendit, me theks të veçantë në rajonin e Anamoravës.
Sipas KEDS-it, më të prekurat nga kjo situatë janë komuna e Gjilanit dhe rrethina e saj, ku një numër i konsiderueshëm konsumatorësh kanë mbetur pa energji. Kompania thekson se ekipet e saj janë të mobilizuara dhe po punojnë pa ndërprerje në terren për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Reshjet intensive dhe kushtet e pafavorshme atmosferike kanë prekur kryesisht rajonin e Anamoravës, por nuk kanë kursyer as pjesë të tjera të Kosovës. Ekipet tona janë në terren dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të normalizuar situatën”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, sipas KEDS-it, rajonet e Pejës, Ferizajt dhe Prizrenit janë prekur në masë më të vogël, por ekipet janë gjithashtu duke ndërhyrë edhe në ato zona për të zgjidhur problemet që kanë lindur.
KEDSBresherNdërprerje të energjisë elektrikeErëra të forta me shi