Aktuale

Ergys Agasi tjetër telash me drejtësinë, Prokuroria e Tiranës kërkon që verën ta gjejë SPAK: Kush e zbrazi qilarin e vilës në Mullet?! Një shishe kushtonte 30.000 euro

Prokurori Bledar Valikaj i ka dërguar për kompetencë SPAK një tjetër dosje në ngarkim të biznesmenit në kërkim Ergys Agasi. Bëhet fjalë për shishet e verës me vlerë miliona lekë që u zhdukën nga vila e tij, të cilat Prokuroria e Tiranës i kërkon SPAK t’i gjejë se ku shkuan.

Materialet hetimore janë pranuar dhe organi special i akuzës ka nisur hetimet për të zbardhur destinacionin final të koleksionit të shtrenjtë të verave që Ergys Agasi kishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, në një vilë 2-katëshe e identifikuar si pronë e Ergys Agasit, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive.

Materialet për këtë rast i janë përcjell Prokurorisë së Posaçme, pasi prokurori Bledar Valikaj ka vlerësuar se nisur nga vlera e tyre e madhe, 30 mijë euro për shishen më të shtrenjtë dhe 350 euro më e lira, blerja e tyre është produkt i veprimtarisë kriminale.

Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Në kushtet kur nuk mund të inventarizoheshin dhe të sekuestroheshin brenda natës, 900 shishe verë të markave ekskluzive u lanë në ruajtje brenda vilës së Ergys Agasit, si porosi për kushëririn e tij Eno Agasi. Por në mëngjes, ai i kishte zhdukur të gjitha.

Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine.

Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Hetuesit e BKH-së vlerësuan se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të SPAK dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor, që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.

Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove.

Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Të Ngjashme