
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, refuzoi të hënën kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për zbutjen e masës “arrest në burg” ndaj tij, duke lënë në fuqi edhe masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule.
Vendimi i Apelit ishte konfirmim i qëndrimit të bërë të njohur më 23 prill. Vetë kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancë.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme sekuestruan një pronë të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij në zonën e Kodrës së Diellit./rtsh.al/