Ballkani Perëndimor vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në aktivitetin e rrjeteve më të rrezikshme kriminale që veprojnë në Evropë, thuhet në raportin e Europol “Decoding the EU’s Most Threatening Criminal Networks”.
Sipas raportit, grupet kriminale nga rajoni janë të përfshira në aktivitete të ndryshme të krimit të organizuar, ku dominojnë trafiku i drogës, kontrabanda e armëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i migrantëve. Këto rrjete veprojnë në mënyrë ndërkufitare, duke krijuar partneritete me organizata kriminale në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Europol thekson se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor karakterizohen nga fleksibiliteti i lartë, aftësia për t’u përshtatur shpejt me ndryshimet dhe bashkëpunimi me rrjete të kombësive të ndryshme. Sipas raportit, ato shfrytëzojnë korrupsionin, dhunën dhe bizneset e ligjshme për të fshehur aktivitetet kriminale dhe për të pastruar të ardhurat e paligjshme.
Raporti vlerëson gjithashtu se pozita gjeografike e Ballkanit Perëndimor e bën rajonin një korridor të rëndësishëm për lëvizjen e narkotikëve, armëve dhe mallrave të paligjshme drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, Europol kërkon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të inteligjencës mes vendeve të rajonit dhe institucioneve evropiane për të goditur më efektivisht rrjetet kriminale.
