Lajme

Evropa kritikon vendimet e Izraelit në Bregun Perëndimor, kërkon anulimin e tyre “menjëherë”

Vendet evropiane kanë dënuar ashpër vendimet e reja izraelite për të përforëcuar pushtimin në Bregun Perëndimor duke i hapur rrugë aneksimit të plotë të tij.

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme ka “dënuar me forcë” masat e fundit të Izraelit për të forcuar kontrollin mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, duke thënë se ato shkelin të drejtën ndërkombëtare, raporton Al Jazeera.

Masat e kabinetit të sigurisë izraelite “kontribuojnë në avancimin e logjikës së aneksimit të Bregut Perëndimor dhe, në këtë mënyrë, përbëjnë një kërcënim serioz për zgjidhjen me dy shtete”, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar: “Ne i bëjmë thirrje Izraelit që menjëherë të anulojë këto vendime dhe të riafirmojë kundërshtimin tonë të vendosur ndaj çdo forme aneksimi.”

Vendimin e kabinetit izraelit e kanë dënuar edhe vendet tjera Evropiane dhe vendet myslimane.

Spanja tha se vendimet ndryshojnë status quo-në në Bregun Perëndimor dhe minojnë unitetin territorial dhe politik të një shteti palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, duke përfshirë Gazën dhe Bregun Perëndimor, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Edhe Britania e Madhe e ka dënuar vendimin të cilin e quajti përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike të Palestinës.

Deklarata theksoi  se vendimet minojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit që t’i anulojë menjëherë këto vendime”, shtoi ajo.

Gjermania poashtu kritikoi të hënën Izraelin për miratimin e fundit të masave që synojnë forcimin e kontrollit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane deklaroi se “kjo bie ndesh me detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar dhe përfaqëson një pengesë të mëtejshme në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete”.

“Qëndrimi i qeverisë gjermane është i qartë, përkatësisht se Bregu Perëndimor është një pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez. Mbi këtë bazë, qeveria gjermane vazhdon të mbështesë një zgjidhje të negociuar me dy shtete”, shtoi ajo.

Të Ngjashme