
Nga bakteret orale te bllokimi i arterieve – hapet perspektiva për trajtime revolucionare
Shkencëtarët në Finlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë publikuar prova të reja që sugjerojnë se shkaku i sulmit në zemër mund të lidhet me infeksione bakteriale, dhe jo vetëm me nivelin e lartë të kolesterolit apo stilin e jetesës, siç besohej deri më tani.
Sipas hulumtimit, bakteret mund të fshihen brenda pllakave të arterieve dhe të mbeten joaktive për dekada, derisa të aktivizohen nga një infeksion viral ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Kur ndodh kjo, ato shkaktojnë inflamacion, çarje të pllakave arteriale dhe formim të bllokimeve që shpesh përfundojnë në sulm në zemër.
Ky zbulim hap mundësinë për zhvillimin e terapive të reja dhe madje edhe vaksinave parandaluese për sëmundjet koronare, theksojnë studiuesit nga Universiteti i Tampere-s.
Çfarë sjell ky zbulim?
Ky rezultat sfidon tërësisht konceptet tradicionale mbi shkaqet e sulmit në zemër.
Profesori Pekka Karhunen, autori kryesor i studimit në Universitetin Tampere, shpjegon se deri më tani besohej se procesi që çon drejt sëmundjes koronare fillonte vetëm nga lipoproteinat me dendësi të ulët të oksiduara (LDL), të cilat trupi i njeh si struktura të huaja.
“Përfshirja e baktereve në sëmundjen koronare është dyshuar prej kohësh, por kanë munguar prova të drejtpërdrejta dhe bindëse. Studimi ynë tregoi praninë e materialit gjenetik ADN-së, të disa baktereve orale brenda pllakave aterosklerotike”, thekson Karhunen.
Simptomat kryesore të sulmit në zemër
Simptoma më e zakonshme është dhimbja ose presioni në gjoks. Megjithatë, në shumë raste dhimbja është e lehtë ose mungon krejtësisht, sidomos te personat e moshuar dhe ata me diabet. Simptoma të tjera që mund të dominojnë janë dobësia, vështirësia në frymëmarrje, të përzierat dhe të vjellat.
Sulmi në zemër ndodh kur qarkullimi i gjakut drejt një pjese të muskulit të zemrës bllokohet, duke shkaktuar dëmtim ose vdekje të indit kardiak. Shkaku më i zakonshëm është arteroskleroza, grumbullimi i pllakave yndyrore në arteriet koronare që mund të shkaktojë formimin e një mpiksjeje gjaku (theksohet nga CDC).
Në rast të dyshimit për sulm në zemër, është jetike të kërkohet ndihmë e menjëhershme mjekësore, sepse ndërhyrja e shpejtë shpëton jetë dhe ul rrezikun e dëmtimit të përhershëm të zemrës.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë:
dhimbje ose presion në gjoks, që shpesh përhapet në qafë, nofull, shpatulla ose duar;
dhimbje në shpinë ose në pjesën e sipërme të barkut;
gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje;
ndjesi të përzierash ose të vjella;
dhimbje që zgjat më shumë se 20 minuta dhe nuk lehtësohet as me pushim, as me nitroglicerinë;
ndonjëherë dhimbja është e maskuar (p.sh. si dhimbje dhëmbi ose qafe), duke e bërë diagnostikimin më të vështirë.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht këtyre rezultateve, kujdesi për zemrën me kontrolle të rregullta dhe një stil jetese i shëndetshëm mbetet i domosdoshëm.
Studimi është vetëm një hap i parë, por ofron shpresë që shkenca të sjellë zgjidhje inovative kundër një prej sëmundjeve më të përhapura në botë. /Telegrafi/