Situatat e tensionuara në shtëpinë e “Big Brother VIP” kanë sjellë një reagim zyrtar dhe të ashpër nga familja e Mateos, të cilët kanë dënuar publikisht sjelljen verbale dhe gjestet e përdorura ndaj banorit.
Në qendër të këtij reagimi janë frazat specifike si “kape shpejt”, “kape dorën se e di ti” apo “e di ti ça ndodh nëpër vende”, të shoqëruara me gjestin e dorës në xhep.
Familjarët shprehen se këto nuk janë thjesht fjalë të thëna në nerva e sipër, por mesazhe të qarta intimidimi.
Sipas deklaratës, këto shprehje të thëna me ton kërcënues kanë për qëllim të sinjalizojnë dominancë dhe nënshtrim, duke u kthyer në një akt verbal abuziv.
“Kur një frazë përdoret për të poshtëruar, për të frikësuar apo për të krijuar hierarki përmes presionit psikologjik… nuk është debat. Nuk është lojë,” – theksohet në reagim.
Familja ka vlerësuar qetësinë dhe dinjitetin që Mateo ka treguar përballë këtij provokimi, ndërsa e ka mbyllur deklaratën me një mesazh të prerë kundër bullizmit: “Mateo meriton respekt. Çdo përpjekje për ta nënçmuar flet më shumë për nivelin e atij që e përdor sesa për të.”
Deklarata e plotë:
Reagim publik për sjelljen e papranueshme ndaj Mateos.
Ngjarja e ndodhur në Big Brother VIP Albania, ku ndaj Mateos u përdorën në mënyrë të përsëritur dhe agresive shprehje si “kape shpejt”, “kape dorën se e di ti” apo “e di ti ça ndodh nëpër vende” (duke i treguar dorën që ka në xhep), nuk është thjesht një fjali e thënë në nerva e sipër.
Të thëna me britma dhe me ton kërcënues, këto fraza marrin një peshë tjetër. Sipas komenteve, shprehje të tilla përdoren shpesh në mënyrë të nënkuptuar për të sinjalizuar dominancë, nënshtrim apo presion ndaj dikujt që synohet të vihet në pozitë të dobët. Nuk është deklarim i drejtpërdrejtë, është aludim me mesazh intimidues.
Kur një frazë përdoret për të poshtëruar, për të frikësuar apo për të krijuar hierarki përmes presionit psikologjik, ajo kthehet në akt verbal abuziv. Nuk është humor. Nuk është debat. Nuk është lojë.
Mateo ka treguar qetësi dhe përmbajtje përballë një situate të panevojshme dhe provokuese. Dinjiteti nuk fitohet duke bërtitur mbi dikë tjetër.
Ne dënojmë çdo formë bullizmi, intimidimi apo komunikimi agresiv që cenon integritetin e një personi në publik.
Mateo meriton respekt. Çdo përpjekje për ta nënçmuar apo për ta vënë në pozitë të dobët flet më shumë për nivelin e atij që e përdor sesa për të.

