Faton Peci është betuar sot si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Pas betimit, ai tha se do të punojë për të gjithë qytetarët, duke theksuar se Mitrovica është një qytet i krenarisë dhe historisë, dhe se përgjegjësia për ta udhëhequr atë është shumë e madhe.
Peci premtoi se do të punojë pa dallim dhe pa protokoll.
“Njerëz të mrekullueshëm të Mitrovicës, sot u betova. Realisht nuk kam fjalë të mëdha, por kam një premtim të sinqertë. Jam përjetësisht mirënjohës për besimin tuaj. Më është dhënë përgjegjësia ta udhëheq Mitrovicën, këtë qytet të historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes, durimit e mosdorëzimit, ku çdo kalldrëm është i larë me gjak”.
Ai u shpreh se ky vit ka bërë për të maksimumin e mundshëm, prandaj përgjegjësia është tepër e lartë.
“Nga sot, dera ime është e hapur për secilin, pa dallim dhe pa protokoll. Do të punojmë me ndershmëri, me zemër, me durim e drejtësi, për t’ia kthyer dinjitetin qytetit të Mitrovicës”, tha ai.

