
Pas akuzave të publikuara nga Lirim Mehmetaj ndaj tij, Faton Peci, ka reaguar ashpër përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Ai i ka bërë thirrje Mehmetajt të zbulojë detaje për, siç u shpreh ai, “ndërlidhjen e shtëpisë së Presidentes me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Faton Pecin”.
Ministri ka kërkuar që Mehmetaj të sqarojë para prokurorisë dhe hetuesisë pretendimet që ka ngritur, përfshirë edhe pohimet për ndonjë përfitim nga kompania “Apetit”, që sipas Mehmetajt lidhet me rastin në fjalë.
“Trego, Lirim M., ku janë paratë e Operatorit Ekonomik ‘Apetit’ që i paskam marrë unë!” – ka shkruar Peci, duke shtuar se është i interesuar të dijë se si, sipas pretendimeve, “i ka ndërtuar shtëpinë dikujt”.
Në reagimin e tij, Peci gjithashtu ka përmendur mosfunksionalizimin e Fabrikës për Përpunimin e Mbetjeve Shtazore gjatë 10 viteve të fundit, duke ngritur pyetjen se sa ka kushtuar dhe pse nuk është vënë në funksion më herët.
“Unë me e goditë krimin, e ti vazhdo zanatën tënde,” ka përfunduar ministri.
Postimi i plotë:
Sa ma shumë që goditet krimi, aq më shumë po ‘pallë’ Lirimi!
Lirim M tregoji opinionit ku ke qenë i ftuar dje dhe për çka:
Dil, Lirim M. Zëdhënës i Krimit, tregoji prokurorisë e hetuesisë se ku është ndërlidhja e shtëpisë së Presidentes me Ministrinë e Bujqësisë dhe Faton Pecin!
Dil e trego, se si ia paskam ndërtuar shtëpinë, jam kurioz me ditë.
Trego Lirim M. ku janë paratë e Operatorit Ekonomik “Apetit” që i paskam marrë unë!
Dil, Lirim M. trego se si 10 vjet fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore nuk është funksionalizuar sa ka kushtuar pse nuk është funksionalizuar dhe sa është dëmtuar buxheti i shtetit çdo vit.
Vazhdo ti me tënden, a unë gjithë me temën, unë me e goditë krimin, e ti vazhdo zanatën tënde!