Fermerët drejtuan rreth njëqind traktorë në Paris të enjten në mëngjes për të protestuar kundër qëllimit të Bashkimit Evropian për të ecur përpara me një marrëveshje të tregtisë së lirë me pesë vende të Amerikës së Jugut, tha Ministria e Brendshme Franceze.
Fermerët francezë për vite me radhë kanë denoncuar marrëveshjen tregtare me vendet e Mercosur-it si Brazili, Argjentina, Bolivia, Paraguai dhe Uruguai, duke argumentuar se marrëveshja do të dëmtonte jetesën e fermerëve francezë.
Protesta e së enjtes u organizua nga sindikata e Koordinimit Rural për të ushtruar presion të mëtejshëm mbi qeverinë e Francës, e cila e ka kundërshtuar marrëveshjen, ka shkruar AP.
Jose Perez, President i Koordinimit Rural në rajonin Lot-et-Garonne në Francën jugperëndimore, tha se “qëllimi sot është të vijmë në Paris për të shprehur kërkesat tona më afër atyre që kanë pushtetin”.
BE-ja këtë javë rinovoi negociatat e brendshme mbi një marrëveshje të tregtisë së lirë me pesë vende të Amerikës së Jugut , mes spekulimeve se një marrëveshje mund të nënshkruhet në Paraguai më 12 janar.
Mbështetësit e marrëveshjes, të udhëhequr nga Gjermania, mund të jenë në gjendje të anashkalojnë kundërshtimet e Francës dhe Polonisë.
Kundërshtimi i ashpër nga Franca e prishi marrëveshjen muajin e kaluar.

