Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Festimi i Kurban Bajramit në botën islame

Në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, besimtarët myslimanë ishin krah për krah në rrugë dhe Xhamia e Madhe Istiqlal ishte plot për lutjet e mëngjesit të premten.

Kurban Bajrami, i njohur si “Festa e Sakrificës”, përkon me ritet e fundit të Haxhit vjetor në Arabinë Saudite . Është një rast i gëzueshëm, për të cilin ushqimi është një shenjë dalluese, me myslimanët e devotshëm që blejnë dhe therin kafshë dhe ndajnë dy të tretat e mishit me të varfrit.

Jashtë Xhakartës, tregu i bagëtive Jonggol ishte plot me qindra tregtarë bagëtish që shpresonin t’ua shisnin blerësve që kërkonin kafshë për flijim.

Përgatitjet për festivalin po arrinin kulmin edhe në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku shumë myslimanë i lyejnë delet dhe dhitë me këna përpara se të flijohen.

Edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë qindra njerëz u mblodhën të premten në sheshin kryesor për të falur namazin e Bajramit.

Vendet e Azisë Jugore si India dhe Bangladeshi do të festojnë Kurban Bajramin të shtunën. Përpara festës, shumë myslimanë në rajon po shkonin në tregjet e bagëtive për të blerë dhe shitur miliona kafshë për sakrificë.

Ndërkohë, namazi i parë i Kurban Bajramit u mbajt në Siri të premten pas rënies së regjimit të Bashar Assadit.
Mijëra njerëz u dyndën në Xhaminë Umajade, me rëndësi historikisht, në kryeqytetin e Damaskut për lutjet e Bajramit.

Kurse, sulmet në Gaza nuk kanë pushuar as për festë. Palestinezët të cilët vazhdojnë të përballen me uri, u sulmuan mëngjesin e Bajramit nga sulme ajrore izraelite ku u vranë dhjetëra persona.

Afër 80,000 persona në anën tjetër kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit në xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin e pushtuar, nën kufizime të ashpra izraelite dhe nën hijen e armëve.