Besimtarët bektashinj festojnë ditën më të rëndësishme dhe më të bekuar të vitit “Sulltan Novruzin”. Kjo festë simbolizon ditëlindjen e shenjtorit më të rëndësishëm Imam Aliut.
Besimtarë të shumtë u mblodhën në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë.
Nëpërmjet ndezjes së qirinjve, një nga ritet e kësaj feste, besimtarët janë lutur për më shumë lumturi dhe begati.
Ndërkohë, Kryegjyshi Botërorë i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj iu drejtua besimtarëve bektashinjtë me një mesazh për të dashur dhe ndihmuar më shumë njëri-tjetrin.
“Ta duam më shumë njërit tjetrin! Të jemi falënderues ndaj Zotit për të gjitha të mirat. Të ndjejmë njëri-tjetrin sa më afër. Zoti na do të bashkuar. Kjo jetë është dhënë nga Zoti dhe duhet të kujdesemi për të”, tha ai.
Sipas legjendës në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet me shpresën për një të ardhme edhe më të mirë.
Kjo festë është njohur ndërkombëtarisht nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Novruzit. Zyrtarët më të lartë të shtetit kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët bektashinj.
/vizionplus.tv
