Lajme

Fetoshi: Heqja e sanksioneve për Dodikun ‘koncesion’ i gabuar apo ‘karrotë’

 
   

Heqja e sanksioneve amerikane ndaj Milorad Dodikut është “koncesion” i gabuar ose një “karrotë” për tërheqje, që ende mund të fshihet pas retorikës nacionaliste, vlerëson drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi.

Në një postim për zhvillimet e fundit lidhur me sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës e Hercegovinës, ai ka vënë në pah kërkesën e senatores amerikane, Jeanne Shaheen për rivendosjen e masave kundër Dodik, në kuadër të sanksioneve mandatore të Aktit Autorizues të Mbrojtjes Kombëtare, pas deklaratave secesioniste e minuese të tij gjatë qëndrimit në SHBA.

Sipas Fetoshit, vendimi i Departamentit të Thesarit në tetorin e kaluar për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut, është interpretuar nga analistë ndërkombëtarë si një qasje e re e administratës Trump, për të testuar “vullnetin” e tij ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe për ta shkëputur atë nga Kremlini.

Megjithatë, roli i Shteteve të Bashkuara për paqen dhe stabilitetin në Ballkan ka qenë dhe mbetet vendimtar, derisa çdo sjellje që sfidon Marrëveshjen e Dejtonit dhe Marrëveshjen e Ahtisaarit (Republikën e Kosovës) si dy kornizat themelore të arkitekturës perëndimore të sigurisë në rajon, është kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe rendin demokratik, vlerëson Fetoshi.

Në këtë kuadër, vazhdon ai, masat ndaj individëve që veprojnë në shërbim të agjendës ruse dhe të “Botës Serbe”, janë mjete të domosdoshme për forcimin e paqes, sigurisë dhe mbrojtjen e vlerave euro-atlantike.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme