
Drejtori i Institutit Octopus Arben Fetoshi ka reaguar ashpër ndaj dezinformatave të gazetarit serb Branisllav Kërstiq në mediat e Kosovës, se kinse rreshteri policor Afrim Bunjaku nuk është vrarë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjska nga grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Në një postim në Facebook, Fetoshi ka thënë se Kërstiq po i shërben narrativit serb të “shfajësimit, akuzimit dhe tensionimit” në Kosovë dhe se duke degraduar jetën e një polici në “dëm kolateral” siç e cilësoi Kërstiq në emisionin në Klan Kosova, nuk është vetëm moralisht e papranueshme, por edhe goditje ndaj përpjekjeve institucionale për siguri dhe sundim të ligjit.
“Kërstiq nuk bëri gazetari, por e relativizoi terrorizmin, duke shmangur fakte të njohura botërisht dhe duke i shërbyer një narrative që fyen viktimën dhe “shfajëson” kriminelët. “Gazetari” që njihej si zë kritik, sot i dha oksigjen propagandës që përpiqet të legjitimojë dhunën, destabilizimin dhe mohimin e realitetit”, ka përkujtuar Fetoshi.
Derisa Kosova në vazhdimësi lufton për ta prezantuar me fakte të vërtetën e sulmit terrorist në Banjska, Fetoshi thotë se Branisllav Kërstiq vendosi të godasë mbi varrin e një polici të vrarë në mbrojtje të sovranitetit.
“Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk është i vrarë. Është një mënyrë si një dëm kolateral. Askush s’e ka pushkatuar zotëri Bunjakun. Secili polic që ka kryer trajnime vetëm 15 ditë dhe që e ka veshur uniformën, është i informuar nga shefat e vetë që barrikadat janë të minuara”, tha Kërstiq, duke pretenduar se kjo që po thoshte nuk ishte propagandë, por hulumtim i tij si “gazetar”.
Fetoshi përkujton Kërstiqin se “ndoshta ka harruar” se më 24 shtator 2023, Kosova u përball me një nga sulmet më të rënda kundër rendit e sovranitetit të saj që nga shpallja e pavarësisë.
Ndaj grupit të organizuar e të armatosur rëndë, nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili kreu sulmin në Banjskë ku u vra polici i Njësisë Speciale të Kosovës, Afrim Bunjaku, kanë reaguar ashpër të gjithë faktorët perëndimorë dhe organizatat ndërkombëtare, duke i kërkuar Serbisë të mos i “strehojë” përgjegjësit.
Për këtë sulm, si duket sërish “harron” Kërstiq, Kosova ka marrë mbështetje të plotë ndërkombëtare dhe institucionet e drejtësisë kanë ngritur një aktakuzë. Faktet janë të kokëforta, provat janë të pakontestueshme dhe vrasja e Afrim Bunjakut është një plagë e hapur për shtetin dhe popullin që mbrojti me jetën e tij, ka thënë Fetoshi.