Franca ka autorizuar avionët amerikanë të përdorin përkohësisht bazat e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, mes tensioneve në rritje pas sulmeve ndaj Iranit, konfirmuan të enjten burime ushtarake franceze për agjencinë EFE.
Vendimi, i raportuar fillimisht nga televizioni LCI, është marrë në kuadër të bashkëpunimit mbrojtës me SHBA-në dhe synon të ndihmojë në mbrojtjen e partnerëve në rajon. Nuk është bërë e ditur se cilat baza do të përdoren.
Franca ka përforcuar gjithashtu praninë ushtarake në rajon. Ministrja e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, njoftoi se gjashtë avionë luftarakë Rafale janë vendosur në bazat franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më herët këtë javë, dy baza në Emiratet e Bashkuara Arabe që strehonin forca franceze u goditën gjatë sulmeve iraniane, por Vautrin tha se nuk ishte e qartë nëse instalimet franceze ishin objektivat e synuara.
“Nuk pati viktima ose të lënduar dhe bazat mbeten plotësisht funksionale”, tha ajo.
Vautrin konfirmoi gjithashtu se aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle pritet të mbërrijë në Mesdhe “në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër” për një mision sigurie detare, e shoqëruar nga fregatat Provence, Forbin dhe Languedoc.
Izraeli dhe SHBA-të kanë vazhduar ofensivën ndaj Iranit që nga e shtuna, duke vrarë të paktën 926 persona, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.
