Lajme

​FSK gjeti trupin e të riut në lumin Mat

 
   

Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, për t’iu bashkuar operacionit të kërkimit të një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat, në zonën e Klosit.

Operacioni kërkim-shpëtimi ka zgjatur dhjetë ditë dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare. Pas angazhimit intensiv në terren, ekipet e përbashkëta kanë arritur të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emër të tij personal dhe të gjithë personelit të FSK-së, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Ai gjithashtu ka falënderuar personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë realizimit të këtij misioni humanitar.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në misionet humanitare dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme