Aktuale

“Fundi i Ramës, do jetë i dhimbshëm”/ Harxhi: Është i bindur që Belinda Balluku e merr me vete

Votimi me 82 vota në Kuvend nuk ishte një surprizë, por një lëvizje e pritshme nga një kryeministër që tashmë nuk po luan për fatin e bashkëpunëtorëve të tij, por për mbijetesën e vet. Edit’h Harxhi Anëtare e Kryesisë së PD ishte e ftuar në nje studio televizive, ku tha se “kjo situatë politike nuk ka arritur ende koston e saj finale për kryeministrin Edi Rama, i cili pritet të përballet me pasoja edhe më të rënda”.

“Ai tashmë nuk luan për Belinda Ballukun, ai luan për veten e tij,” u shpreh Harxhi gjate bisedës me moderatorin Flavio Qarri.

Sipas anëtares së kryesisë së PD, “një nga arsyet kryesore pas vendosmërisë së Ramës për të çuar përpara këtë betejë të ashpër, është frika nga një grupim i brendshëm në Partinë Socialiste”. Ky fraksion, që vepron kundër tij, mendohet të jetë më i madh sesa dy apo tre deputetët që munguan në seancë.

Gazetari: Atëherë nuk do e fillojmë dot me Burimin me sa kuptoj, për efekte teknike. Harxhi, si e përcolle atë votim me 82 vota.

Edit’h Harxhi: Unë mendoja që ai do ta bënte, do të shkonte deri në fund.

Gazetari: Me këtë kosto?

Edit’h Harxhi: Po kjo nuk është kosto ende. Ai do ketë kosto shumë më të rëndë se kaq. Po që do shkojë deri në fund, do t’i shkojë deri në fund kësaj situate, sepse ai tashmë nuk luan për Belinda Ballukun, ai luan për veten e tij. Dhe dalja e fjalës së tij nga grupi parlamentar para dy ditësh, e ka botuar një e përditshme dje online, tregon qartë që ai është i bindur që Belinda Balluku atë e merr me vete. Dhe ai tashmë po lufton për veten e tij, nuk lufton më për askënd tjetër. Dhe e kupton, me sa kuptoj unë, që situata do përkeqësohet edhe më tepër.

Unë pres që në ditët në vijim, SPAK-u të ashpërsojë akuzën, jo vetëm ndaj Belinda Ballukut, por mundet edhe në bashkëpunim me zotin Rama dhe Rama e di gjithë këtë situatë që i është krijuar. Plus edhe reagimin nga evropianët në përgjithësi, por edhe mendoj edhe nga amerikanët, pavarësisht se amerikanët nuk janë deklaruar ende.

Dhe për këtë arsye ai mundohet që ai do shkojë deri në fund në këtë situatë, por fundi i tij do të jetë shumë i dhimbshëm. Dhe ai fundin mund ta parashikojë sepse ka raste, ai i di rastet e mëparshme të autoritarëve të tjerë të cilët kanë pasur një fund të frikshëm kur i kanë shkuar deri në fund. Por ajo çfarë ndodhi dje nuk ishte e papritur, nuk ishte e pazakontë.

Një nga arsyet pse ai e bëri atë dje, ishte sepse ai i frikësohet votës së një grupi, brenda grupit parlamentar, që fundi i fundit është grupi i tij, e ka krijuar ai vetë, por që tashmë i ka kundër dhe nuk janë dy ose tre, siç dolën dje, të cilët nuk shkuan në seancë. Unë mendoj që janë shumë më tepër, por janë ende të fshehur në grupin parlamentar.

Gazetari: Sepse ende Rama i fortë?

Edit’h Harxhi: Jo, ndoshta ata kanë problemet e tyre të brendshme, ndoshta shumë prej tyre mund të ketë edhe çështje të tjera në SPAK dhe prandaj i frikohen SPAK-ut. Por gjithsesi janë shumë më tepër sesa dy ose tre. Nuk është thjesht Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafa.

Gazetari: Pra ka një fraksion të PS që…

Edit’h Harxhi: Unë mendoj që ka një fraksion, që është një fraksion i nxitur nga figura, ish-figura kyçe në Partinë Socialiste, jo në Rilindje, të cilët janë kundër tij, janë kundër kësaj rryme dhe e kuptojnë që në momentin që do të ndodhi ajo çfarë do të ndodhi, pra Rama do të merret i pandehur, atëherë ata përfundojnë bashkë me të. Dhe ky grup nuk do të donte që të përfundonte bashkë me të.

Të paktën janë disa mendoj unë që kanë një lloj pragmatizmi përsa i përket situatës së krijuar. Tani pikëpyetja e madhe për çdo shqiptar është edhe sa do zgjasë kjo agoni. Sepse agonia për mua është më e vështira dhe, kuptohet, sa më tepër ai e trash zullumin, aq më tepër, aq më tepër njerëzit mendojnë që kur do të ndodhi dhe sa kemi për të përjetuar. Megjithatë, duhet të kemi parasysh, Flavio, që kjo është edhe çështje e qytetarëve, ndjeshmërisë së qytetarëve ndaj një situate të tillë të krijuar.

Normalisht në një vend tjetër demokratik, natyrisht ky s’është vend demokratik, por në një vend perëndimor reagimi do të kishte qenë disa herë më i fortë se reagimi aktual që kanë shqiptarët.

Gazetari: Po unë kam përshtypjen se s’ka nevojë. Kemi rastin e Koresë së Jugut, bëri një manovër të ngjashme presidenti, brenda gjashtë orësh u shkarkua, që mori peng parlamentin ai, brenda tre javëve mori dënimin.

Edit’h Harxhi: Kemi të bëjmë me Shqipërinë, e cila ndodhet në Evropë, kemi të bëjmë me një popull, i cili është popull evropian për nga natyra, për nga kultura dhe gjithçka tjetër. Por unë më tepër ia vej faktit që është një popull që është nënshtruar shumë fort nga varfëria dhe izolimi në periudhën e komunizmit dhe nervi i reagimit është ndrydhur përfundimisht gjatë asaj periudhe.

Dhe njerëzit nuk reagojnë nga frika. Si mund të ndryshojë kjo frikë? Është shumë e vështirë të ndryshosh një popull të dhunuar ndër vite, të ndryshosh mënyrën e tij të reagimit psikologjik në radhë të parë. Dhe për këtë arsye unë shoh që shqiptarët, të cilët ishin edhe të fundit që bënë ndryshimet në Evropën, në Evropën Lindore në ’90-ën, në një moment do të reagojnë, por do të jetë vonë dhe nuk do të ketë vlerë sepse në atë moment Rama do të jetë i përfunduar….

Të Ngjashme