Lajme

Fuqitë botërore lëshojnë rezerva nafte në vlera rekorde

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka miratuar lirimin e 400 milionë fuçive naftë për të kompensuar furnizimin e humbur si pasojë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga drejtori ekzekutiv i agjencisë, Fatih Birol, i cili njoftoi se vendet anëtare kanë votuar në mënyrë unanime për këtë vendim.

Ai tha se vendet e IEA-s votuan “unanimisht” për të nisur “lirimin më të madh ndonjëherë të rezervave të naftës emergjente në historinë e agjencisë sonë”.

“Sfidat e tregut të naftës me të cilat po përballemi janë të pashembullta në shkallë të gjerë, prandaj jam shumë i kënaqur që vendet anëtare të IEA-s kanë reaguar me një veprim kolektiv emergjent me përmasa të pashembullta”, ka deklaruar Birol.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, rezervat e emergjencës do të vihen në dispozicion të tregut gjatë një “afati kohor që është i përshtatshëm për rrethanat kombëtare” të secilit vend anëtar.

IEA ka bërë të ditur gjithashtu se kjo është hera e gjashtë që miraton një lëshim të koordinuar të rezervave të naftës. Më parë, një veprim i tillë është ndërmarrë në vitet 1991, 2005, 2011 dhe dy herë gjatë vitit 2022.

Sipas agjencisë, vendet anëtare mbajnë rezerva emergjence prej më shumë se 1.2 miliardë fuçish naftë.

Vendimi për lirimin e rezervave vjen pak pasi Irani paralajmëroi për dyfishim të çmimit të naftës dhe pas sulmeve ndaj anijeve komerciale në Ngushticën e Hormuzit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë përbëhet nga 32 vende anëtare, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë, Francën, Turqinë, Kanadanë, Meksikën, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Të Ngjashme