Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fushë Kosovë, Obiliq: Vërshimet e reja nxorën në pah problemet e vjetra

 
   

Vërshimet e fundit që përfshinë disa zona të Obiliqit dhe të Fushë Kosovës, nxorën në pah problemet e vjetra infrastrukturore dhe ndikimin e faktorit njeri në përkeqësimin e gjendjes.

Reshjet e fundit shkaktuan daljen e ujërave nga shtrati, duke përmbytur rrugë, oborre dhe disa objekte banimi, ndërsa banorët u përballën me dëme materiale dhe vështirësi në qarkullim.

Pos kushteve atmosferike, kryetari i Obiliqit nënvizon një sërë arsyesh të tjera për gjendjen e krijuar, duke filluar nga ndërtimet pa leje, bllokimi i kanaleve kulluese, si dhe hedhja e mbeturinave në shtretërit e lumenjve.

Ndonëse ekipet emergjente lokale kanë reaguar dhe vazhdojnë të jenë në terren, sipas Thaçit, pa bashkëpunimin e qytetarëve dhe respektimin e rregullave urbane, problemet do të përsëriten.

“Ne do të dalim në terren për të parë se çfarë është dëmtuar, kemi dalë por do të dalim sërish, do të formojmë komisione për të vlerësuar dëmet dhe në bashkëpunim me qeverinë do t’i ndihmojmë qytetarët..”, tha mes tjerash kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi.

Neglizhenca njerëzore si ndikim i drejtpërdrejtë në gjendjen e krijuar, u vu në pah edhe nga shërbimet publike të Fushë Kosovës.

Ekipet në terren kanë hasur në kanale të ujërave atmosferike, të bllokuara nga mbeturinat dhe materialet ndërtimore.

Ndërhyrjet emergjente janë duke vazhduar, ndonëse nevojitet qasje më e përgjegjshme dhe afatgjatë për të parandaluar vërshime të ngjashme në të ardhmen. Zyrtarët komunalë paralajmërojnë ndryshim në infrastrukturë për t’i evituar gjendjet e krijuara nga reshjet e fundit.