Lajme

Gara: Vazhdimësi e politikës gjenocidiale të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit shqiptar

Anëtari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Kushtrim Gara, rikujtoi vazhdimësinë e politikës gjenocidiale të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit shqiptar.

“Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore duhej të nënkuptonte edhe fundin e politikave gjenocidale dhe të dhunës ndaj popullsive të tëra. Por për shqiptarët kjo nuk ndodhi. Nga platforma ideologjike gjenocidiale e Çubriloviçit për dëbimin masiv të shqiptarëve, deri te ‘Patkoi’ i gjenocidit e spastrimit etnik, shfaqet një vijë e qartë vazhdimësie e politikës gjenocidiale të ish Jugosllavisë e Serbisë ndaj popullit shqiptar. Nga ideja në zbatim.

Masakra e Tivarit nuk është një krim apo ngjarje e izoluar, por një nga krimet gjenocidiale që lidhet deri me luftën e fundit në Kosovë. Nga Tivari (31 mars 1945) deri te Pastaseli (31 mars 1999), Gjakova (31 mars 1999) e Prishtina (31 mars 1999)… nga Tivari deri te gjenocidi i luftës në fund të shekullit XX, shohim të njëjtën logjikë e politikë gjenocidiale: vrasje, dëbim me forcë, zhdukje me dhunë dhe përpjekje të fshehjes së gjurmëve.

Zhdukja me forcë, krimi që synon jo vetëm eliminimin fizik, por edhe zhdukjen e së vërtetës. Viktimat mbeten pa varr, familjet pa përgjigje, ndërsa pritja e tyre vazhdon.

Nderimi e ndriçimi i së vërtetës është detyrim ndaj familjeve sepse e drejta për të ditur është e drejta për të vërtetën.

Respekt pafundësisht familjeve, ndërbreza që dhanë gjithçka për lirinë e atdheut!

Viktimave të gjenocidit dhe të rënëve në altarin e lirisë përjetësisht LAVDI”, shkroi Gara.

Të Ngjashme