Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani ka thënë se tani pas dështimit të votimit të qeverisë së Kosovës, çështja kalon te Presidentja.
“Në një bisedë që kam zhvilluar para tre ditësh në Berlin, Presidentja më tha se ajo i ka menduar edhe këto mundësi dhe se do të veprojë konform ligjit”, tregon ai.
Postimi i plotë:
Çështja kalon te Presidentja – procedurat e mëtutjeshme në Kosovë…
Dje ishte një ditë historike për parlamentarizmin në Kosovë, sepse për herë të parë nuk u votua një kabinet qeveritar. Tani gjërat marrin rrugën e vetë juridike.
Të kuptohemi as kancelari Friedrich Merz në Gjermani nuk i ka marrë votat në raundin e parë por është votuar në raundin e dytë.
Në Kosovë janë të tjera rregulla. Nëse i nominuari i parë dështon, atëherë Presidentja Osmani fton partitë për konsultime dhe brenda 10 ditësh i jep mandatin atij apo asaj që mund të sigurojë votat për qeverinë e re. Në një bisedë që kam zhvilluar para tre ditësh në Berlin, Presidentja më tha se ajo i ka menduar edhe këto mundësi dhe se do të veprojë konform ligjit.
I mandatuari i ri apo e mandatuara e re mund të jetë nga të gjitha partitë parlamentare, pra teorikisht mund të jetë prapë edhe nga LVV, dhe ka afat prej 10 ditësh të sigurojë shumnicën prej 61 votash.
Çështja kalon tani pra tek Presidentja Osmani e cila ka afat 10 ditë të konsultohet me partitë politike dhe të vendosë.
Nëse askush nuk paraqet dëshmi se i ka numrat, atëherë Presidentja shpall zgjedhjet e reja…

