Gazetari kroat, Domagoj Margetiq ka publikuar një dokument të ri që dëshmon pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në “Sarajevo Safari” – vrasjen e civilëve të pafajshëm në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës.
Publikimi i dokumentit vjen pasi Vuçiq, disa ditë më parë, gjatë një paraqitjeje në FTV, në lidhje me “Sarajevo Safari”, deklaroi se “e dini që po gënjeni”.
“Nuk ka mënyrë më të mirë dhe më profesionale gazetareske për t’iu përgjigjur fyerjeve të Vuçiqit sesa publikimi i edhe një dokumenti tjetër që dëshmon pjesëmarrjen e tij në safari njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës. Duke qenë se në intervistën për Federal TV më akuzoi edhe një herë se po gënjej, gjë që u transmetua nga të gjitha mediat në rajon, asgjë nuk e dëshmon më mirë se ky dokument se gënjen pikërisht Vuçiqi”, tha Margetiq.
Siç thekson ai, dokumenti i “Njësisë çetnike të Novo Sarajevës” me numër 72-08/92, i datës 23.08.1992, i nënshkruar nga komandanti i njësisë Slavko Aleksiq, dëshmon disa fakte të rëndësishme dhe hap disa pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme në rastin e safarive njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës.
“Aleksandar Vuçiq edhe në intervistën e fundit propagandistike për Federal TV ka pretenduar se kurrë nuk ka mbajtur pushkë mbi Sarajevë dhe se nuk ka qëlluar. Ky dokument dëshmon se Aleksandar Vuçiq po gënjen. Me urdhrin nr. 72-08/92, komandanti Slavko Aleksiq i ka urdhëruar logjistikës së Njësisë që Vuçiqit t’i vihet në përdorim një pushkë, konkretisht ‘Zastava M59/66’, e njohur gjerësisht si ‘papovka’. Kushdo që ka pasur ndonjë lidhje me ushtrinë ose ka shërbyer në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA), është plotësisht i vetëdijshëm se në atë incizim video mbi Sarajevë, Vuçiqi mban pikërisht atë model pushke”, deklaroi ai./telegrafi/
