
Halil Geci, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar opozitën për bashkëpunim të vazhdueshëm me Serbinë dhe struktura që, sipas tij, po minojnë shtetësinë e vendit nga brenda.
Në një postim në Facebook, Geci shprehet se “rreziku më i madh për Kosovën nuk vjen nga jashtë, por nga marrëveshjet e vjetra të opozitës me Beogradin”, të cilat sipas tij po i japin Serbisë mundësinë që ta zhbëjë gradualisht shtetin e Kosovës deri në zhdukje, transmeton “Bota sot”.
“Opozita e sotme është e lidhur ngushtë me marrëveshjet e kohës së Thaçit dhe Isës, ku u pranua se pa Listën Serbe nuk ka institucione”, shkruan Geci, duke shtuar se “Lista Serbe është futur në pushtet pikërisht nga opozita e atëhershme, dhe sot funksionon si instrument i Serbisë dhe Rusisë brenda institucioneve të Kosovës.”
Ai shkon më tej duke akuzuar zyrtarë të PDK-së se kanë udhëtuar drejt Brukselit për të kërkuar nga BE-ja që të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës, një veprim që e cilëson si “tradhti të shekullit”.Sipas tij, bojkoti i Kuvendit nga opozita nuk është thjesht një veprim politik, por “një plan për t’ia shuar shtetin Kosovës nga brenda”, duke i shërbyer drejtpërdrejt interesave të Beogradit dhe Moskës.
Ai gjithashtu kritikon Vetëvendosjen që, ndonëse në pushtet, “nuk ka pasur forcë ta eliminojë ndikimin e Listës Serbe”, të cilën e cilëson si një “dhuratë nga tradhtarët” që, sipas tij, kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Në përmbyllje, Geci bën thirrje për mobilizim qytetar dhe për ndëshkim të “fajtorëve” përmes votës:
“Kush janë fajtorët? Vetëm kutia e votimit do t’ua tregojë,” shkruan ai, duke lënë të kuptohet se një përballje elektorale është rruga për të “shpëtuar Kosovën”.