Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vlerësuar gruan shqiptare si “hallkën më të fortë”, duke theksuar qëndrueshmërinë dhe guximin e saj përballë dhunës, terrorit dhe padrejtësisë gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka thënë se gruaja shqiptare nuk është vetëm një numër në statistikë apo një figurë që mbahet mend për tmerrin që përjetoi, por një forcë që vazhdon të mbajë shoqërinë mbi supe, e palëkundur përballë përdhunimit si armë lufte dhe strategjive të qëllimshme të Serbisë.
Gërvalla ka vlerësuar edhe librin “Hallka më e fortë”, të bashkëautoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, duke thënë se ai dokumenton historinë gojore të 20 grave nga 20 mijë që mbijetuan përdhunimin si armë lufte gjatë luftës në Kosovë.
Sipas saj, ky botim i jep zë guximit dhe rezistencës së tyre, ndërsa rrëfimet e përfshira në të hapin rrugë për ndërgjegjësim dhe i inkurajojnë edhe të mbijetuarat e tjera të flasin, duke e kthyer heshtjen në thirrje për drejtësi, njohje dhe mbështetje shoqërore.
Ajo ka theksuar se rëndësia e librit shkon përtej Kosovës, pasi kontribuon në përpjekjet globale për të kuptuar dhe dokumentuar dhunën seksuale në konflikt, si dhe për ta trajtuar atë si krim që kërkon përgjegjësi institucionale dhe ligjore.
Duke falënderuar Anna Di Lellio dhe Garentina Krajën për dokumentimin, Ministrja e Drejtësisë është shprehur se përkushtimi për drejtësi për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale do t’i detyrojë kriminelët serbë të përballen me përgjegjësinë e tyre.
“Guximi i grave shqiptare është hallka më e fortë që sfidon heshtjen dhe frymëzon drejtësi. Dhe drejtësia, në fund, gjithmonë triumfon”, ka deklaruar ministrja Gërvalla.
