Politik

Gërvalla: Kujtesa për Holokaustin është detyrim ndaj njerëzimit

 
   

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka kujtuar sot Holokaustin, në 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Auschwitz, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe luftës kundër urrejtjes e diskriminimit.

Në një postim në platformën X, Gërvalla tha se më 27 janar 1945 bota filloi të përballej plotësisht me tmerret e Holokaustit, gjatë të cilit miliona njerëz në mbarë Evropën u vranë sistematikisht vetëm për shkak të asaj që ishin.

Ajo përmendi historinë e të mbijetuarit të Holokaustit, Aron Krell, 99-vjeçar, i cili humbi nënën dhe tre vëllezërit e tij, ndërsa vetë mbijetoi pesë kampe përqendrimi, përfshirë Auschwitzin. Gërvalla kujtoi fjalët e fundit të vëllait të tij, Zvi: “Ju lutem, mos më harroni kurrë”, duke i cilësuar ato si një thirrje për kujtesë dhe për njerëzimin.

Ministrja theksoi se edhe Kosova e njeh dhimbjen e të qenit i shënjestruar vetëm për identitetin dhe se Holokausti na kujton se urrejtja dhe diskriminimi mund të shkatërrojnë familje dhe shoqëri të tëra, nëse nuk përballen me guxim dhe dhembshuri.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme