
Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla tha se “opozita nuk ka asnjë arsye për të vazhduar bllokadën në Kuvend”.
Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, të premten më 9 maj, Gërvalla e quajti absurd propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale.
Gërvalla: Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën
“Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot, ishin për ta zhbllokuar sot, mirëpo nuk u shfrytëzuan, madje u shfrytëzua foltorja e Kuvendit edhe për të dhënë deklarata që edhe në vazhdimësi do të vazhdojë të mbetet e bllokuar. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë të Kuvendit, dihet qartë se kush i bënë propozimet, si bëhen propozimet dhe si shkon procesi mirëpo deri tani ende nuk kemi asnjë progres në këtë fushë“, tha ajo.
Veprimet e partive të tjera, Gërvalla i quajti “filma jo kreativ dhe pa fantazi”.
Gërvalla: Të gjitha janë këto filma jo kreativ edhe pa fantazi
“Të gjitha janë këto filma jo kreativ edhe pa fantazi sepse gjithkush e di që një kuvend i cili nuk është i konstituuar nuk mund të merret me trajtimin e tyre”, tha ajo.
Gërvalla foli edhe për një ftesë të mundshme nga presidentja për takim konsultativ për zhbllokim të ngërçit politik.
Gërvalla: Ta shohim ftesën, pastaj japim përgjigje
“Ta shohim ftesën, ta shohim temën për të cilën na fton për të biseduar dhe do japim përgjigjen tonë“, deklaroi ajo.
E pyetur për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla tha se mos konstituimi i Kuvendit e bënë më të lehtë që mos të trajtohet kjo temë në këtë fazë.
Gërvalla: Nuk dua të them se po të ishte konstituar Kuvendi i Kosovës
“Nuk dua të them se po të ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës, patjetër do të ishte anëtarësuar tani në maj, mirëpo ia bëjmë gjithkujt të lehtë që nuk do të na mbështesë në anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës ia bëjmë shumë të lehtë të mos e trajtojë këtë temë në këtë fazë“, tha ajo.
Lidhur me paralajmërimin e AAK-së se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese kalimin nga votimi i hapur në të fshehtë në mes të procesit të votimit, Gërvalla tha se “nëse kanë argumente të mjaftueshme ta dërgojnë në Kushtetuese”.
Gërvalla: Brenda LDK-së ka njerëz që do i bëjnë presion Abdixhikut për lëvizje pozitive
“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, edhe që ata njerëz do ta rrisin presionin ndaj kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, tha Gërvalla.