Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla për opozitën: Shpresoj t’i thërrasin mendjes

 
   

Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla tha se pret nga opozita që sot “t’i thërrasin mendjes” dhe të votojnë për Albulena Haxhiun kryeparlamentare. Para fillimit të seancës, tentativë kjo e gjashtë për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë, ajo tha se deklaratat e opozitës nuk i japin optimizëm se sot do të zgjedhet kryetari i Kuvendit.

Ajo tha beteja politike është për formimin e qeverisë “e jo për konstiuimim e Kuvendit”.

Gërvalla: Opozita nuk e ka të qartë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit

“Bllokimi i konstituimit të institucioneve, që në këtë fazë të hershme, patëm bllokadën që në verifikimin e mandatave tregon që opozita ende nuk është kthjellë dhe nuk e ka të qartë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurt”, deklaroi Gërvalla.

Gërvalla tha para mediave se pret nga partitë politike që “t’i thërrasin mendjes”.

Gërvalla: Nuk është çështje e lëshimit pe, por çështje parimore

“Kjo qasje do të thotë, pse nuk lëshoni pe këtu. Nuk është çështja e lëshimit pe, nuk është as çështje e kokëfortësisë, është çështje parimore. Fituesi propozon emrin e kryetarit të kuvendit dhe jo pasi të bëhet një anketë se për kë ka preferenca dhe për kë nuk ka preferenca. Fort shpresoj edhe pse deklaratat që kam lexuar në mëngjes nuk më bëjnë optimiste, por shpresoj që t’i thërrasin mendjes dhe që të vazhdojmë sepse beteja politike bëhet përmes formimit të qeverisë”, shtoi ajo para mediave.

Gërvalla e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk ka arsye që Albulena Haxhiu të mos votohet.

Gërvalla: Nuk ka arsye të mos votohet Albulena Haxhiu

“Në kemi thënë qartë që Albulena Haxhiu është kandidatja jonë. Zonja Albulena Haxhiu është femra më e votuar në vend në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk ka asnjë arsye, asnjë person dhe asnjë Grup Parlamentar të refuzojë votën për zonjën Albulena Haxhiu. Është jo vetëm një personalitet i jashtëzakonshëm, por është edhe një person i cili me aktivitetin e saj politik ka dëshmuar përkushtimin e saj për këtë vend. Prandaj, ky është arsyetim falso. Arsyetimi i vërtetë i partive opozitare është që nuk duan ta pranojnë vullnetin e qytetarit të datës 9 shkurt 2025”, deklaroi ajo.