Zëvendëskryeministrja e dytë dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se qeverisja fillon, vazhdon dhe mbaron me përgjegjësi. “Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve është nderi më i madh që mund të kemi, andaj dhe kërkon vendime të drejta dhe të guximshme, punë të palodhshme, seriozitet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit publik”, ka theksuar ajo.
Ajo ka shkruar në Facebook për mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, në të cilën u miratuan vendime konkrete. “Nisëm punën vullnetshëm e me vendime të mira e konkrete. E proceduam për miratim buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare që prej kohësh presin ratifikimin në Kuvend, disa prej tyre me afate që nuk lejojnë më shtyrje”, ka shtuar Gërvalla.
Sipas saj, gjatë mbledhjes u miratua edhe kërkesa drejtuar Kuvendit për zgjatjen e zbatimit të Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, “me qëllim garantimin e ekzekutimit në kohë të pensioneve dhe pagave në sektorin publik, deri në përfundimin e procedurave parlamentare për buxhetin e ri”.
Gërvalla rikujtoi se legjislatura e kaluar u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro. “Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re krijojnë hapësirën e nevojshme për t’i çuar përpara këto procese dhe për të siguruar ratifikimin e tyre”, shkroi ajo.
“Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve është nderi më i madh që mund të kemi, andaj dhe kërkon vendime të drejta dhe të guximshme, punë të palodhshme, seriozitet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit publik. Ky është standardi që i kemi vendosur vetes dhe premtimi që u kemi dhënë qytetarëve tanë që nga dita e parë. Një fillim i mbarë për katërvjeçarin e ri”, ka përfunduar Gërvalla.
