
Pas kërcënimit të djeshëm me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, ku Policia dyshon se mesazhi ka ardhur nga Serbia, publicisti Gëzim Mekuli ka reaguar me një koment ndryshe.
Sipas tij, “bomba e vërtetë” është ajo që shpërthen çdo ditë në televizion, radio dhe portale – jo me eksploziv, por me panik, propagandë dhe dezinformim.
“Mediat tona kanë shpikur një armë të re psikologjike: frikën kolektive,” – shkruan Mekuli. Ai kritikon gazetarinë sensacionaliste që, në vend se të informojë qytetarët, krijon dramë, manipulim dhe ndasi politike.
“Mos u tutni nga Serbia – tutuni nga ekranet që ju bombardojnë çdo natë në emër të së vërtetës,” përfundon ai.
Shkrimi i plotë:
Bomba nga Serbia? Jo, jo… Bomba e vërtetë është çdo ditë në televizion, portale e radio
Dje kishte një kërcënim me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës. Policia njoftoi se dyshohet që mesazhi kërcënues ka ardhur nga Serbia.
Të dashur lexues,
hajde të flasim për bombën e vërtetë: atë që shpërthen çdo ditë në ekranet dhe radiot tona. Po, po, ajo që vjen nga radiot, televizionet dhe portalet, me gazetarë që bërtasin, gënjejnë e çjerren si të çmendur. Kjo është bomba psikologjike!
Në emër të informimit, mediat tona kanë shpikur një armë të re psikologjike; frikën kolektive dhe propagandën kolektive. Çdo ditë, populli i shkretë kërcënohet jo me dinamit, por me panik, dezinformatë, rrena, drama dhe skenare apokaliptike që s’i ka menduar as Steven Spielberg. Skena me më shumë efekt special Hollywoodian se realitet. Kjo është bomba psikologjike!
Në vend se të raportojnë lajmin, ata e krijojnë, e sajojnë dhe e shpifin. Në vend se të shërbejnë qytetarin, ata e çmendin; “Bomba mund të shpërthejë”, “Lufta është afër”, “Albini spiun i Serbisë”, “Kriza e madhe po vjen”, “Amerika po e kërcënon Kosovën”. Dhe pastaj marifeti i tyre për përfitime: “Qëndroni me ne pas reklamave.” Kjo është bomba psikologjike!
Ndoshta Policia po kërkon në vendin e gabuar. Bomba nuk është në Kuvend. Ajo është në studio televizive, në mikrofonët që nuk heshtin kurrë së gënjyeri, në titujt që shpërthejnë pa paralajmërim dhe me gazetarët partiak që bëjnë më shumë dëm se një bombë.
Të dashur lexues,
Mos u tutni nga Serbia, sepse kemi ushtrinë, policinë, KFOR-in, Qeverinë dhe Shqipërinë; Jemi ne, populli.
Tutuni nga radiot dhe televizionet që po ju bombardojnë çdo natë, në emër të “së vërtetës”; Ky është bombardimi psikologjik, kjo është bomba mediatike e politike!