Policia e Shtetit ka bërë një bilanc zyrtar të pasojave të protestës së Partisë Demokratike të zhvilluar mbrëmjen e sotme, duke konfirmuar lëndimin e 6 punonjësve të rendit si pasojë e përshkallëzimit të dhunës nga ana e demonstruesve.
Sipas njoftimit për shtyp, efektivët e lënduar i përkasin Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore. Pas sulmeve me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, ata janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore pranë Spitalit të Traumës dhe në QSUT.
Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se gjendja e tyre është stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë momenteve të tensionit, Policia sqaron se u ka bërë thirrje të vazhdueshme protestuesve nëpërmjet altoparlantëve për të ndalur sulmet, por këto apele janë shpërfillur nga një pjesë e protestuesve.
Përmes kësaj komunikate, institucioni i sigurisë rikonfirmoi angazhimin e tij për mbrojtjen e institucioneve dhe të drejtës për tubim, por mbajti një qëndrim të prerë kundër sulmeve ndaj uniformave blu.
“Policia e Shtetit mbetet tërësisht e angazhuar për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar. Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore,” theksohet në deklaratën zyrtare./rtsh.al/
