Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Gjendja me rriqra në Kosovë mbetet stabile, mbi 200 të prekur në Prishtinë

PËRGATITI: SARA SHEHU

Vetëm për 6 muaj në rajonin e Prishtinës janë regjistruar më shumë se 200 raste të pickimit nga rriqrat. Por, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare thotë se nuk ka rritje të numrit të rasteve, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndonëse gjatë verës, rastet nga thumbimi i rriqrave janë më të përhapura, këtë vit numri i tyre nuk ka shënuar rritje të lartë.

Në regjionin e Prishtinës në 6 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 7 raste më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në të gjitha QMF-të e Prishtinës trajtohen këto raste për rajonin e Prishtinës përfshirë zonat rurale të Prishtinës. Këtë 6 mujor i kemi 7 raste më tepër se vitin paraprak. Domethënë në 2022 kemi paurs 200 raste për 6 muaj. Kurse në këto 6 muaj 2023, kemi 207 një rritje e lehtë. Gjendja me rriqra është e menaxhueshme, nuk është shqetësuese”.

Qytetarët thonë se largimin e rriqrave e bëjnë në kushte shtëpiake.

“I hekmi gjithmonë me dorë në shtëpi se nuk ka paraqitë naj problem asnjëherë”.

“Paj vallai gjithë me dorë i kom hek e i heki nuk është bo kurrgjo”.

Por për infektologun Hasan Gashi është shqetësues fakti që qytetarët e neglizhojnë shërimin në mënyrë profesionale.

“Edhe pse numri i të prekurve nga rriqrat është ulur, qytetarët nuk duhet me tentu me i hekë vetë rriqrat. Për shkak se largimi i rriqrës nuk bëhet si duhet. Sepse nëse mbetet rriqra në trup, do të sillte një infeksion të rëndë. Duhet të shkohet tek mjeku për me u shëru”.

Ndërsa, nga menaxhmenti drejtues i klinikës së Infektivit në QKUK, kanë bërë të ditur se prej muajit prill deri në fund të muajit qershor, 250 qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit janë shëruar nga pickimi i rriqrave.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk kanë treguar për ATV-në se cila komunë vazhdon të jetë më e rrezikuar nga rriqrat.