Lajme

Gjeneral major Racaj paralajmëron për provokim të rrezikshëm nga Serbia

Stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë në rajon.

Sipas raportimeve nga terreni, pjesëtarë të ushtrisë serbe kanë zhvilluar manovra ushtarake të mërkurën në mëngjes, shumë afër vijës kufitare me Kosovën. Gjatë këtyre stërvitjeve, gjashtë parashutistë janë hedhur nga një helikopter mbi zonën e Breznicës, në komunën e Bujanocit, ndërsa një tjetër helikopter ka fluturuar drejt Muhocit, ku janë lëshuar edhe parashutistë të tjerë.

Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka paralajmëruar se këto veprime nuk janë thjesht ushtrime rutinë, por sinjale të qarta force dhe presioni, me potencial për destabilizim nëse nuk ka reagim të shpejtë nga faktorët ndërkombëtarë.

 “Stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, veçanërisht në zona të ndjeshme si Breznica, Muhovci dhe Karaqeva, përbëjnë një zhvillim serioz nga aspekti i sigurisë rajonale. Angazhimi i helikopterëve dhe desantimi i parashutistëve në afërsi të drejtpërdrejtë të kufirit nuk mund të konsiderohet thjesht si një ushtrim rutinë, por si një demonstrim force dhe një sinjal me karakter politik dhe ushtarak.

Nëse këto aktivitete nuk janë të koordinuara dhe të miratuara nga KFOR, atëherë kemi të bëjmë me një provokim të rrezikshëm që cenon stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Në këtë kontekst, mungesa e reagimit adekuat nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe të inkurajojë veprime të mëtejshme destabilizuese”, ka thënë ai.

Tutje, Racaj ka deklaruar se këto stërvitje synojnë testimin e reagimit të Kosovës dhe NATO-s, krijimin e presionit psikologjik.

Ai ka shtuar se janë pjesë e një qasjeje hibride, duke paralajmëruar se tolerimi nga KFOR-i rrit rrezikun e incidenteve dhe përshkallëzimit të tensioneve.

“Mesazhi që përcjellin stërvitje të tilla është i shumëfishtë: së pari, është një përpjekje për të testuar reagimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe të NATO; së dyti, synon të ushtrojë presion psikologjik mbi popullatën lokale; dhe së treti, përbën një element të doktrinës hibride, ku demonstrimi ushtarak shoqërohet me ndikim politik dhe propagandistik.

Nëse vazhdon tolerimi i këtyre veprimeve nga ana e KFOR-it, ekziston rreziku real i incidenteve në terren, pasi tensionet e krijuara mund të përshkallëzohen lehtësisht. Është e njohur se situata të tilla mund të shfrytëzohen nga aktorë të caktuar për të prodhuar kriza të kontrolluara me qëllime strategjike”, është shprehur ai.

Në fund, Racaj ka kërkuar nga KFOR-i rritje të menjëhershme të pranisë në kufi dhe aktivizim të zonës neutrale 5 km në Serbi.

Ai ka theksuar se vetëm vigjilenca dhe reagimi i shpejtë ndërkombëtar garantojnë stabilitetin në rajon.

“Për këtë arsye, konsideroj se KFOR duhet të veprojë menjëherë duke rritur praninë dhe gatishmërinë operative në zonat kufitare, si dhe të rivlerësojë mekanizmat e kontrollit të sigurisë. Aktivizimi efektiv i zonës neutrale prej 5 kilometrash në brendësi të territorit të Serbisë, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, do të ishte një hap i domosdoshëm për uljen e tensioneve dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm.

Në përfundim, stabiliteti në rajon kërkon vigjilencë të shtuar, reagim të shpejtë ndërkombëtar dhe moslejim të asnjë veprimi që mund të cenojë paqen dhe sigurinë në Ballkani Perëndimor”, ka përfunduar Racaj.

Të Ngjashme