Shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane, Daniel Alker, së bashku me Drejtorin e GIZ-it për Kosovë, David Oberhuber, dhe Shefin e Zyrës së KfW-së, Moritz Remé, si dhe përfaqësues të tjerë të GIZ dhe KfW, u takuan këtë javë me Ministrin e sapoemëruar të Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe me Ministrin e Mjedisit për të diskutuar bashkëpunimin në vazhdim dhe prioritetet e ardhshme.
Diskutimi u përqendrua në hapat konkretë për të avancuar transformimin digjital dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban në Kosovë, duke u mbështetur në partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në këto fusha.
U theksuan arritjet kryesore, ndërsa palët shqyrtuan mënyrat se si përpjekjet e përbashkëta mund të përmirësojnë më tej kushtet e jetesës për qytetarët e Kosovës, në fusha si digjitalizimi i shërbimeve publike, menaxhimi i ujit dhe mbetjeve.
“Gjermania mbetet e përkushtuar për ta mbështetur afrimin e Kosovës me BE-në dhe zhvillimin e qëndrueshëm përmes bashkëpunimit të koordinuar financiar dhe teknik, në partneritet me institucionet kombëtare për të ofruar rezultate konkrete për qytetarët e Gjermanisë dhe Kosovës”, thuhet në njoftim të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.
