Aktuale

Gjermania miraton rregullat e ashpërsuara të azilit, preken edhe shqiptarët

Parlamenti gjerman, Bundestagu, miratoi një ashpërsim të ligjit të azilit si dhe lehtësime për qasjen në tregun e punës për azilkërkuesit. Me votat e koalicionit qeveritar Bundestagu përfshiu në të legjislacionin gjerman Reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS).

Me GEAS-in shtetet e Bashkimit Evropian synojnë të unifikojnë sistemet e tyre të azilit. Kjo reforma më e gjerë e së drejtës evropiane të azilit deri tani dhe pritet të hyjë në fuqi më 12 qershor. Dy projektligjet e miratuara tani nga Bundestagu përmbajnë një sërë ashpërsimesh për azilkërkuesit në Gjermani.

Zbatimi i GEAS në Gjermani u mundëson ndër të tjera landeve federale të krijojnë qendra të reja azili, të ashtuquajtura qendra të migrimit sekondar, për persona që kërkojnë azil në Gjermani por për të cilët në fakt është përgjegjës një shtet tjetër anëtar i BE-së.

Nga ana tjetër në rregullat e reja për azilin parashikohet që azilkërkuesve me perspektivë qëndrimi në Gjermani t’u lejohet të fillojnë punë që pas tre muajsh. Aktualisht, në praktikë ekziston një ndalim punësimi prej gjashtë muajsh, nëse ata jetojnë në një qendër pritjeje.

Procedura në kufijtë e jashtëm dhe në vende të treta

Sipas reformës procedurat e azilit mund të kryhen edhe direkt edhe në kufi – fjala është për kufijtë e jashtëm të BE-së. Gjithashtu parashikohet që migrantët mund të dërgohen në shtete të treta, pra në vende jashtë BE-së, dhe që procedurat e azilit të kryhen atje.

Ministri federal i Punëve të Brendshëm, Alexander Dobrindt, është ndër përkrahësit kryesorë të mundësisë për t’i dërguar azilkërkuesit që kërkojë strehim në Gjermani në shtete të treta. Së fundmi BE-ja vendosi që refugjatët mund të dëbohen edhe në shtete me të cilat ata nuk kanë asnjë lidhje.

Po ashtu do të reformohet edhe sistemi i regjistrimit të personave që kërkojnë azil ne BE. si dhe do të ketë rregulla të reja për kufizimin e lirisë së lëvizjes së azilkërkuesve dhe rregulla për mundësinë e arrestimit të tyre.

Dëbim nga “qendrat e migrimit sekondar”

Modeli i ashtuquajtur “qendrat e migrimit sekondar” parashikon ngritjen e qendrave në të cilat personat që do të vendosen do të jenë të detyruar të qëndrojnë. Në këto qendra do të vendosen azilkërkues që kanë marrë status mbrojtjeje në një shtet tjetër të BE-së ose për të cilët, përgjegjës për procedurën e azilit është sipas rregullave të Dublinit, një shtet tjetër i BE-së.

Pas përfundimit të procedurës së tyre në Gjermani, personat e prekur do të dëbohen direkt nga qendrat në shtetin që është përgjegjës për ta. Ministri i Brendshëm Dobrindt do që qendra të tilla të ngrihen në të gjitha landet federale. Por sipas agjencisë së lajmeve KNA jo të gjitha landet duan të ngrenë qendra të tilla./DW

Të Ngjashme