Gjatë emisionit “LIBERO”, ku po diskutohej tema e të qenit prindër për herë të parë – mes gëzimit dhe frikës – e ftuar ishte edhe gjinekologia Aida Kumnova, e cila solli në vëmendje një tjetër çështje të rëndësishme që shpesh mbetet tabu: vaginizmin.
Ajo tregoi se në praktikën e saj has shpesh çifte që kërkojnë ndihmë pas një kohe të gjatë martese, pikërisht për shkak të kësaj problematike.
“…Kam çifte që vijnë dhe kërkojnë ndihmë pas 1 viti martesë, 2 vite martesë, madje kam pasur rast edhe deri në 6 vite martesë dhe absolutisht asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale…”, u shpreh Kumnova.
Doktoresha derisa foli për vaginizmin, tha se kjo mund të tejkalohet me ndihmën e psikologut, psikiatrit dhe gjinekologut!
Sipas saj, kjo është një çështje për të cilën duhet të flitet më shumë në shoqëri, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi, sidomos te vajzat.
“…Është një çështje që duhet ta ngrisim dhe të bisedojmë për të dhe t’i vetëdijësojmë vajzat…”, shtoi ajo.
Çka është vaginizmi?
Sipas Cleveland Clinic, vaginizmi konsiderohet një problem i shëndetit seksual që mund të ndikojë në jetën intime dhe emocionale të një gruaje. Ky çrregullim nuk është vetëm fizik; ai shpesh lidhet edhe me faktorë psikologjikë dhe emocionalë, si ankthi, frika ose përvoja negative që lidhen me seksualitetin. Për këtë arsye, vaginizmi shpesh trajtohet si një problem biopsikosocial që kërkon qasje të kombinuar në trajtim.
Vaginizmi mund të paraqitet në dy forma kryesore: primar dhe sekondar. Vaginizmi primar ndodh kur një grua nuk ka qenë kurrë në gjendje të ketë penetrim vaginal pa dhimbje. Ndërsa vaginizmi sekondar zhvillohet pasi gruaja ka pasur më parë marrëdhënie seksuale pa probleme, por më vonë fillon të përjetojë kontraktime dhe dhimbje gjatë penetrimit.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë në emisionin LIBERO të datës 02.03.2026 (rreth prindërimit për herë të parë), klikoni linkun e mëposhtëm:
