152 shkelje të kodit të sjelljes janë evidentuar në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve lokale. Partitë me së shumti shkelje janë Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Alternativa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lista Serbe si dhe Guxo e LDK. Natyra e shkeljeve është gjuha e urrejtjes, ngacmimi personal, dezinformimi dhe nxitjet për dhunë.
Këto të dhëna u bënë publike të mërkurën nga Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe Qendra për Dialog Humanitar (HD).
Drejtoresha ekzekutive në D4D, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, tha se platformat e analizuara janë mediat online dhe rrjetet sociale, përgjatë fushatës zgjedhore dhe parafushatës, transmeton KosovaPress.
Ajo tha se nga gjetjet e tyre kanë identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Cilat parti kanë bërë shkeljet më të mëdha të kodit të sjelljes në zgjedhjet lokale?
“Nga gjetjet tona të monitorimit kemi identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe OJQ-të. Kryesisht këto shkelje janë të bëra nga subjektet politike. Platformat ku janë bërë shkeljet më të mëdha është Facebook me 95 për qind, pastaj TikTok dhe Instagram…Llojet e shkeljeve janë: 66 për qind nga kandidatët për kuvendet komunale, 33 për qind nga ana e mediave, 11 për qind nga analistët politikë dhe 10 për qind nga kandidatët për kryetar komune, si dhe 1 për qind nga subjekti politik. Partitë politike me më së shumti shkelje janë identifikuar në këto 18 komuna: Lëvizja Vetëvendosje, pastaj e përcjellur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pastaj i kemi me përqindje më të ulët Listën Serbe, LDK-në dhe Guxo”, theksoi ajo.
Ajo tregoi edhe cilat parti kanë qenë më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Cilat parti kanë qenë më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin?
“Nëse e marrim nga partitë politike më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, në këtë drejtim e para më e targetuara është PDK-ja, pastaj Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, AAK-ja, Lista Serbe, Guxo dhe të tjera…Natyra e shkeljes del që është gjuha e urrejtjes; 14 për qind është ngacmimi personal që ka qenë mjaft i lartë këtë vit në krahasim me monitorimet e kaluara që i kemi bërë. E kemi dezinformimin, nxitjen për dhunë dhe sulme etnike dhe fetare”, shtoi Delibashzade-Krasniqi.
Në anën tjetër, këshilltari i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, Mark Baskin, tha se rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë. Madje ai tha se 95 për qind e shtëpive kanë qasje në internet, ndërkaq 90 për qind e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri.
Për këtë arsye, ai tha se çrregullimet e informacionit, duke përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes, përmbajtjen e rreme dhe manipuluese mund ta kërcënojnë demokracinë e Kosovës.
Çka e kërcënon demokracinë e Kosovës?
“Dua të nënvizoj dy poenta: E para, rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë; kur vëren të dhënat me burime ndërkombëtare ose vendore, 95% e shtëpive në Kosovë kanë një lloj qasjeje në internet, 90% e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri, 83% e njerëzve deri në moshën 74-vjeçare përdorin internetin në përditshmëri…Shpërndarja e gjerë në rrjetet sociale e lajmeve të rreme, ekzagjerimi dhe shpifja e informacioneve minojnë kapacitetin e qytetarëve që të bëjnë zgjedhje inteligjente në votime dhe kërkimin e llogarisë nga qeveria. Këto çrregullime të informacionit, duke përfshirë divizionin, gjuhën seksiste dhe të ashpër, gjuhën e urrejtjes, përmbajtje të rreme, përmbajtje të përdredhur dhe manipuluese, mund të kërcënojnë demokracinë e Kosovës, siç mund të kërcënojnë demokracinë e çdo shteti tjetër. Pra, kjo është arsyeja pse jemi përfshirë, sepse mund të çojë deri në konflikt. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Kosovë kemi eksploruar këto dinamika”, tha ai.
Kodi i mirësjelljes është hartuar në vitin 2021, bashkërisht mes subjekteve politike, shoqërisë civile dhe mediave.

