
Tashmë janë bërë një muaj që kur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës. AAK ende nuk ka marrë një përgjigje nga kjo gjykatë, ndërsa ish-kryetari i Kushtetueses tregon se cili është afati maksimal për të dal me një aktgjykim.
Më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.
Kjo meqë partia fituese bëri kërkese për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
E një muaj pas kësaj, AAK, ende nuk ka marrë një përgjigje.
Nga Kushtetuesja thonë se kërkesa është ende duke u shqyrtuar.
“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Nga kjo gjykatë, nuk kanë bërë të ditur nëse kjo çështje është duke u trajtuar me urgjencë, ani pse seanca për konstituim të Kuvendit të Kosovës e nisur me 15 prill, ende nuk ka marrë epilog të suksesshëm.
E ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tregon se sa ka afat kjo gjykatë për të kthyer një përgjigje.
“Këtu kërkesa është bukur e ndërlikuar dhe nuk është marrë asnjë vendim (deri më tani). Por, Gjykata Kushtetuese për kërkesat organizative apo shtetërore, ka afat 60 ditë ose dy muaj për të dhënë përgjigje. Tashmë në bazë të specifikave dhe rasteve munden me shkua edhe më shpejt, por maksimumi është 60 ditë”, tha Kryeziu.
Por, a mund ta zgjidh ngërçin e krijuar politik, ky aktgjykim i Kushtetueses?
“Gjykata Kushtetuese në njëfarë forme e bën kontrollin e akteve të institucioneve dhe jep mendime e rekomandime se si të dilet nga situata. Por, nuk ka të drejtë Gjykata Kushtetuese të vendos afate kushtetuese, si i kemi afatet për qeveri, këtu nuk kemi afate sepse nuk ka ndodhur një rast i tillë më parë. Pasi të kryhet ky ngërç duhet ulur dhe duhet të bëhet amandamentimi i Kushtetueses, ligjeve për qeveri dhe rregullores së Parlamentit e cila është në diskrepancë edhe me Kushtetutën edhe me vetveten”, tregon ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, aktgjykimin e Kushtetueses është duke e pritur edhe Presidenca e Kosovës.
Këta të fundit thonë se më pas, kësaj gjykate do t’i drejtohen me një draft për ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës.