Gjykata Supreme ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit N.B, i akuzuar për keqpërdorim të procesit të votimit, duke aprovuar kërkesën e mbrojtjes ligjore. Me këtë vendim, të pandehurit i është lejuar të vazhdojë mbrojtjen në liri.
Vendimi i Gjykatës Supreme ndryshon aktvendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar paraburgimin prej një muaji ndaj të pandehurit lidhur me akuzën për falsifikim të rezultatit të votimit.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm lidhur me bazën ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas Gjykatës, arsyetimet që lidhnin paraburgimin me rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët apo përsëritjen e veprës penale ishin të natyrës supozuese dhe nuk mbështeteshin në prova konkrete.
Gjykata Supreme ka theksuar se nuk ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh që procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka rikujtuar se paraburgimi përbën masë të fundit (ultima ratio) dhe duhet të zbatohet vetëm në mënyrë të jashtëzakonshme, kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj.
