Kolegjet e Gjykatës Supreme kanë refuzuar si të pabazuara dy ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa kanë pranuar si të bazuar një ankesë.
Në rastin e parë, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për të përsëritur procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke e pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së.
Gjykata Supreme konstaton se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi në Mitrovicë, raporton KosovaPress.
Në rastin e dytë është refuzuar si e pabazuar ankesa e parashtruar nga Labinot Halilaj, kandidat për asamblist në Drenas nga subjekti politik Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin (PDKRLL).
Pasi PZAP kishte hedhur si të pasafatshme ankesën e parashtruar nga Labinot Halilaj, ky i fundit, të paraqitur kundër ankesë në Gjykatë Supreme duke kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat për kandidat për Kuvendin Komunal në Drenas.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, shqyrtoi shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar.
Në rastin e tretë, është pranuar si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe çështja i kthehet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në rivendosje.
Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Avni Gashi, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që të urdhërohet PZAP të lejojë rinumërimin e votave dhe të obligohet KQZ që të bëjë verifikimin e materialit zgjedhor dhe të urdhërohet rinumërimi i votave në vendvotime të caktuara.
Gjykata Supreme vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve.
Në rivendosje, PZAP udhëzohet të shqyrtojë udhëzimet e dhëna nga kjo gjykatë, pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse që të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor.

